Nxënësja Era Syla është pranuar për të studiuar matematikë në njërin ndër universitetet më të mira të botës, në MIT – Massachusetts Institute of Technology në SHBA.
Ky sukses i Erës para së gjithash është rezultat i talentit të saj për matematikën dhe i punës e përkushtimit të saj të palodhshme. Rikujtojmë se nxënësja Era Syla ka fituar Medalje të Bronztë në Olimpiadën Matematikanëve Evropianë për Vajza – EGMO 2020, duke u bërë kështu fituesja e parë nga Kosova e një medalje në EGMO.
Po ashtu, ky sukses i Erës do të ishte shumë më i vështirë pa përkrahjen dhe investimin e vazhdueshëm të familjes, mësimdhënësve, individëve e organizatave të ndryshme profesionale.
Shoqata e Matematikanëve e Kosovës u shpreh mirënjohje dhe falënderim të gjithë atyre që kanë kontribuuar në realizimin e arritjen e këtij suksesi nga ana e saj!
Me këtë rast, një falënderim të veçantë e meritojnë Bleron Baraliu dhe Valmir Krasniqi nga Shoqata e Matematikanëve të Kosovës, të cilët e kanë ndihmuar Erën gjatë gjithë procesit dhe procedurave të aplikimit në MIT – Massachusetts Institute of Technology, si dhe i kanë ofruar asaj ndihmë e referenca kredibile e profesionale për pranim në MIT – Massachusetts Institute of Technology.
Shoqata e Matematikanëve e Kosovës e uron dhe e përgëzon nxënësen Era Syla për suksesin e arritur dhe i uron studime të suksesshme në MIT – Massachusetts Institute of Technology.
Shoqata e Matematikanëve e Kosovës mbetet e përkushtuar të kontribuojë me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet që ka në dispozicion për t’i mbështetur të rinjtë e talentuar në fushën e matematikës”, thuhet në komunikatën e dërguar nga kjo shoqatë.