Tre persona të maskuar e me kallashnikovë sot në pikë të ditës dyshohet se i kanë vjedhur afër 90 mijë euro në Bankën Komerciale që ndodhet në qytetin e Zubin Potokut. Ata arritën t’iu ikin edhe Policisë që me t’u ndezur alarmi shkuan në vendngjarje.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë të ditur se gjithçka ndodhi derisa Policia mori informacionin përmes një telefonate se po ndodh një grabitje. Me të arritur në vendin e ngjarjes, alarmi i bankës u lëshua, por që kjo nuk i trembi fare grabitësit. Ata arritën të vjedhin 5000 euro dhe 10 milionë dinarë (84947 euro).
Tre të dyshuarit me të parë Policinë, ua drejtuan kallashnikovët zyrtarëve policorë, duke arritur të iknin me një veturë të tipit Volkswagen Passat.
Siç mëson Sinjali automjeti me të cilën ikën tre të dyshuarit, ishte me targa të Kosovës dhe kishte ngjyrë të kaltër.
Për gjetjen e tyre, patrullat policore janë ende në terren dhe po vazhdojnë kërkimet, madje është aktivizuar edhe Unaza e Çeliktë e Planit Operativ./GazetaSinjali/