Lajme

Mashtronin qytetarët me viza pune për në Kroaci e Gjermani dhe u merrnin qindra euro, aktakuzë ndaj dy prizrenasve

Pinterest LinkedIn Tumblr

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër Hatim Berishës dhe Zaim Domazetit, të cilët dyshohen se për disa muaj arritën të përfitonin rreth 5 mijë euro duke i mashtruar qytetarët kinse për pajisje me viza pune në Gjermani e Kroaci. Ata shfrytëzuan biznesin e tyre të quajtur “Timi & Zaimi” në Prizren, përmes të cilit dyshohen se kanë mashtruar së paku 12 qytetarë, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas aktakuzës, “nga muaji nëntor 2020 deri më datë 19.04.2021, në rrugën “Zanat” në Prizren, saktësisht në lokalin e tyre “T.&Z.” Sh.P.K., me dashje dhe me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe duke fshehur faktet, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten dhe për t’i shkaktuar dëm material personave tjerë, i mashtrojnë dhe vazhdojnë lajthimin e personave tjerë dhe me këtë i nxisin të dëmtuarit: L.K., P.F.,V.S., S.T., Gj.S., E.K., Sh.S., E.F., J.D., K.Sh., D.J., dhe F.K., që të njëjtit të kryejnë veprime në dëm të pasurisë së tyre.

Në atë mënyrë që të pandehurit me qëllim të përfitimit pasuror më datë 22.10.2020 krijojnë biznesin “T.&Z.” SH.P.K., si agjenci punësimi kinse për pajisjen e qytetarëve të Kosovës me viza pune për në Kroaci dhe Gjermani, nga të cilët kërkojnë plotësimin e dokumentacionit dhe si kundërvlerë paraprake marrin parapagime nga të dëmtuarit në shumat prej 300 (treqind) deri në 500 (pesëqind) euro, mirëpo asnjërit prej tyre nuk i rregullojnë dokumentacionin e premtuar, me ç’ rast secilit veç e veç i shkaktojnë dëm material ndërsa për vete në kuadër të veprimtarisë afariste në mënyrë të kundërligjshme përfitojnë dobi pasurore në vlerë të përgjithshme prej 5,750 Euro.“

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Po ashtu, i është propozuar Gjykatës që t’i urdhërojë të akuzuarit për të paguar shuma të barasvlershme ndaj të dëmtuarve, ose nga të njëjtit të konfiskojë çdo pasuri me vlerë të barasvlefshme.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.