Shtyrja e celebrimeve dhe frika nga pasojat e COVID-19 ka ulur planifikimet familjare për lindje.
Numri i martesave është tkurrur ndjeshëm në 2020-n dhe kjo, së bashku me pasiguritë e krijuara nga pandemia, pritet të japë efekt në lindshmërinë në afatin e mesëm në vend, shkruan “MonitorAl”.
Sipas të dhënave të INSTAT, vitin e kaluar u lidhën rreth 17.5 mijë akte martese në vend. Ky është numri më i ulët i martesave që raportohet të paktën që prej vitit 1990. Në krahasim me 2019, celebrimet ranë me 22%,
transmeotn lajmi.net.
Shtyrja e celebrimeve dhe frika nga pasojat e COVID-19 ka ulur planifikimet familjare për lindje. Çifte të tjera shpresojnë të nisin një shtatzëni të mbarë pas vaksinimit. Mjekët obstetër gjinekologë të materniteteve shtetërore thanë se te shumë çifte po konstatohet ngurrimi për planifikime shtatzënie, pasi janë të frikësuar nga problemet që mund të shkaktojë tek embrioni COVID-19.
Qasje të njëjtë ndan edhe mjekja obstetër gjinekologe, Afërdita Kruja, pranë Spitalit Amerikan 2. Tendenca për shtyrjen e planifikimeve familjare vihet re te shumë çifte. “Disa çifte po hezitojnë për nisje të shtatzënisë, për disa arsye. Së pari, shumë çifte presin të vaksinohen dhe më pas të nisin një shtatzëni të mbarë dhe lindje të shëndetshme të fëmijës.
Ka shumë spekulime për efektet anësore të vaksinës te pjelloria. Në opinionin tim, këto aludime nuk janë të vërteta. Ende nuk ka një studim të mirëfilltë shkencor, por nisur nga vaksinimet e tjera ndaj popullatës edhe kjo është si gjithë vaksinat e tjera.
Instituti i perneonatologjisë gjermane ka propozuar për gratë shtatzëna, që mund të vaksinohen dy njerëzit më të afërt të saj, për shembull, bashkëshorti dhe një pjesëtar tjetër që kanë kontakt më të afërt me të.
Gratë shtatzëna që mund të preken nga COVID-19, mund ta kalojnë me simptoma më të rënda, pasi gjatë shtatzënisë, nganjëherë, ka tendencë për fenomene trombotike, të cilat shpeshherë shfaqen edhe tek COVID – 19.
Ne kemi hasur raste të shumta të atyre që janë prekur nga COVID-19 dhe kanë pasur një shtatzëni të mbarë, por kemi pasur edhe ndonjë lindje premature. Është vënë re shtimi i rasteve të ndërprerjeve të shtatzënisë, të cilat nisin shumë mirë, por nuk përfundojnë.
Ende nuk kemi studime të mirëfillta që shkak i kësaj është COVID-19, pasi shumë prej tyre kanë kaluar virusin pa simptoma klasike, pa e kuptuar fare.
Për të gjitha këto raste, mendoj se duhet të kalojnë të paktën 5 – 10 vjet për të arritur në një konkluzion të mirëfilltë shkencor mbi efektet e virusit të shtatzënitë”, pohoi znj. Kruja.
Për lindshmërinë, mjekja gjinekologe Kruja tha se nuk ka ndryshuar krahasuar me periudhë normaliteti. “Do të duhet të paktën edhe një vit që të shihet nëse do të ketë reflektime të pandemisë te lindshmëria.
Nëse një çift që do të planifikonte nisjen e shtatzënisë në muajin mars kur nisi karantina, nuk do të frenohej, pasi në fillim situata ishte e paqartë dhe nuk dihej se sa do të zgjaste pandemia. Aktualisht, lindjet janë normale, nuk kanë ndryshuar”.
Bie numri i martesave
Sipas muajve, tkurrja e akteve të celebrimit filloi që në muajin mars, ku u lidhën vetëm 640 akte martese, nga gati 1,700 në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në prill, në kulmin e karantinës u realizuan vetëm 71 akte martese, me tkurrje prej 96% në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë. Edhe në maj, ndonëse në rritje me prillin, numri i tyre ra me 76% me bazë vjetore.
Numri më i lartë i martesave u realizua në gusht, me gati 2300, po sërish në tkurrje me rreth 9% në krahasim me gushtin e kaluar, një tendencë kjo që është e lidhur me kthimin e emigrantëve për pushimeve.
Edhe në muajt në vijim, ndonëse kufizimet ishin më të pakta, sërish numri i martesave vijoi të bjerë (-11.7% në shtator dhe -14.3% në tetor). Vetëm në nëntor u shënua një nivel i ngjashëm me muajin e një viti më parë (-4.5%).
Rikthimi i kufizimeve në dhjetor dhe stepja e emigrantëve për të ardhur si rrjedhojë e kërkesave të shtuara në shtetet ku ata jetojnë, bëri që në dhjetor sërish aktet e martesave të binin me rreth 13.4%.
Edhe përpara pandemisë, numri i martesave në vend po vinte në rënie, duke reflektuar plakjen e popullsisë, emigracionin e lartë, ndryshimin e stilit të jetesës, rritjen e moshës së martesave etj. Ato kanë rënë mesatarisht në 22-23 mijë vitet e fundit nga 30 mijë që ishin në fillim të viteve ’90. /Lajmi.net/