Pas votimit të Qeverisë Kurti II, Lista Serbe, ka thënë se kryeministri, Albin Kurti ka shkelur Kushtetutën e vendit me emërimin e vetëm një ministri nga Lista Serbe, shkruan GazetaBlic.
Madje, Igor Simiq, deputet i Listës Serbe, ka thënë se këtij subjekti i takojnë dy ministri. Derisa, ka paralajmëruar se Lista Serbe do t`i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
Por sa ka gjasë që Lista Serbe të bojkotoj Kuvendin ditën kur votohet presidenti?
Analisti politik, Shkodran Ramadani, thotë për GazetaBlic se mundësia që Lista Serbe të mos marrë pjesë është e madhe.
Sipas tij, Albin Kurti, nuk është i interesuar për votën e tyre dhe se nuk heziton ta dërgojë vendin përsëri në zgjedhje.
“Ka mundësi që edhe nuk marrin pjesë, për shkak që kjo përbën provokim për ta, sipas tyre, se nuk e di si është me kushtetutë. Por, duket që Kurti nuk është shumë i interesuar me kërku votën e tyre, jo pse i ka votat e LDK-së dhe PDK-së, por që nuk heziton për të shkuar në zgjedhje prapë. Duket që zgjedhjet e reja i konvenojnë prapë Kurtit dhe ai mund të nxitë një konflikt me Listën Serbe në mënyrë që të rrit reputacionin e tij, që me anë të shkuarjes në zgjedhje të fitoj edhe më shumë vota se që mori me 14 shkurt”, thotë ai për GazetaBlic.
Sa i përket asaj se a do t’i bëjnë kuorum PDK-ja dhe LDK-ja, zgjedhjes së Osmanit presidente, ai thotë se nga LDK-ja do të ketë më shumë vota.
“Unë besoj që PDK-ja ka më pak gjas t’ia bëj kuorumin, me përjashtim të një ose dy deputetëve që kanë dhënë sinjale që mund të qëndrojnë në sallë dhe të marrin pjesë në procesin e votimit. Ndërkohë në LDK do të ketë më shumë sepse duket që ka mospajtime brenda partisë rreth pjesëmarrjes dhe mospjesëmarrje”, thotë ai.