Lajme

Konjufca: Do ta shqyrtojmë vendimin për hapjen e ambasadës në Jerusalem

Pinterest LinkedIn Tumblr

Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, e ka parë vendosjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem të Izraelit si marrëveshje verbale ndërmjet kryeministrit në detyrë, Avdullah Hoti dhe kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu.

Konjufca, i ftuar në ‘Rubikon’, ka thënë se meqë nuk është pjesë e dokumentit zyrtar të marrëveshjes së arritur në Uashington më 4 shtator të vitit të kaluar, Qeveria Kurti do ta ri-shqyrtojë atë.

“E para, duhet të mendoj që të shikohen të gjitha dokumnentet origjinale, se si ka ardhë deri tek ky premtim. Unë e di që Jerusalemi si koncept edhe si lokacion nuk përmendet askund në mënyrë të shkruar në marrëveshjen që ka bërë Kosova me SHBA’të (Uashingtoni). Në bisedën politike, në mënyrë gojore, e kanë shkëmbyer z. Hoti me z. Netanyahu, përderisa kanë folur për hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem. Është premtim gojor, por jo në dokument zyrtar. Ne do ta shqyrtojmë këtë me kujdes”, ka deklaruar ai.

I njëjti edhe më herët pati deklaruar njësoj, duke thënë se ri-shqyrtimi do të bëhet vetëm nëse BE’ja e kërkon një gjë të tillë.

“Ajo do të mbetet aty ku është, deri nëse eventualisht ne kushtëzohemi gjatë proceseve të ndryshme ndërkombëtarë që të mos jetë aty. Psh nëse Kosova kushtëzohet nga Bashkimi Evropian gjatë procesit integrimeve evropiane që hyrja jonë në BE të kushtëzsohet përmes ndryshimit të lokacioneve të ambasadës sonë, unë mendoj që kjo do të duhet të rishqyrtohej. Meqenëse është vitale për Kosovën dhe jetike që ne të bëhemi pjesë e BE-së”, deklaronte ish-ministri i Punëve të Jashtme, përgjatë fushatës zgjedhore të 14 shkurtit.

Emri i tij, gjithashtu, po lakohet edhe lidhur me postin e Kryetarit të Kuvendit. Ai nuk e mohoi një gjë të tillë.

“Nuk e përjashtoj, mirëpo nuk mund ta di unë, nëse i marr votat e nevojshme”, deklaroi ai.