Lajme

Kryeministri thotë se nesër miratohet projektligji për pagën minimale, kaq do të jetë rritja

Pinterest LinkedIn Tumblr

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar sot se projektligji që i hap rrugë rritjes së pagës minimale, do të votohet nesër, kur edhe do të mbahet mbledhja e ardhshme e Qeverisë.

Ai ka thënë se paga minimale do të rritet në 264 euro bruto, apo 250 euro neto, dhe paga deri më këtë shumë do të lirohet nga tatimi.

“Në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë, e cila do të mbahet nesër, do të miratojmë projektligjin që do t’i hap rrugë rritjes së pagës minimale në 264 euro bruto, apo 250 euro neto dhe heqjen e tatimit për 250 euro pagë. Pra, edhe do ta rrisim pagën minimale dhe do ta lirojmë nga tatimi”, ka deklaruar Kurti.

Ministri i Punës, Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se nga kjo rritje do të përfitojë secila familje në Kosovë.

“Ligji për pagën minimale, përveç se rrit pagën për të gjithë përfituesit nën nivelin 264 euro, ofron rritje për pagës neto, si për sektorin privat, ashtu edhe për atë publik. Secili që e ka pasur pagën mbi 250 euro deri më tani, do të përfitojë rreth 80 euro në vit, apo 6.80 euro në muaj, pas lirimit nga tatimi”, ka deklaruar Murati.

Kurti gjatë deklarimit sot tha se në fund të muajit do t’i ndajnë nga 100 euro shtesë për ndihma sociale, pensionistët dhe për herë të parë edhe për secilin punëtor të sektorit publik dhe privat.

Këtë e ka bërë të ditur në një konferencë të përbashkët me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Në prezantimin e masave të reja në kuadër të pakos së ringjalljes ekonomike, shefi i ekzekutivit ka njoftuar edhe për rritjen e pagës minimale.

“Pensionin bazik e rritëm për 11 për qind, ndërsa 33 për qind për personat me aftësi fizike. Asistencën sociale e kemi rritur për 30 për qind. Gjithashtu për shtresat e cenueshme ndamë mbi 10 mijë kuponë dhe shujta përmes kuzhinave qendrore. Për asnjë qas nuk u ndalem për të dalë në ndihmë qytetarëve dhe pikërisht atyre që kanë më shumë nevojë. Pensionistëve do t’ua ndajmë nga 100 euro për gjithë pensionistët. Për herë të parë do t’i ndajmë nga 100 euro për gjithë punëtorët e sektorit publik dhe privat”, tha Kurti.
“Të gjithë studentët do t’i marrin nga 100 euro. Vlera totale e këtyre masave është mbi 100 milionë euro. Pra edhe do ta rrisim pagën minimale, edhe do ta lirojmë nga tatimi. Ata që kanë paga më të ulëta, të kenë më shumë para në fund të muajit”, ka thënë ndër të tjera Kurti.