Lajme

Podujevë: Hajnat bëjnë ‘qyl’ një shtëpi në kohën e iftarit, vjedhin mbi 13 mijë euro para dhe stoli ari

Pinterest LinkedIn Tumblr

Një shtëpi në fshatin Peran të Podujevës është bërë ‘qyl’ mbrëmë në kohën e iftarit. Hajnat shfrytëzuan këtë periudhë dhe vodhën në një shtëpi mijëra euro para të gatshme dhe stoli ari.

Gazeta Sinjali ka mësuar se rasti u denoncua në Policinë e Kosovës nga pronari i shtëpisë, i cili ka dhënë detaje se si nuk e gjeti asnjë ‘qindarkë’ që kishte lënë në shtëpi.

Ishte koha e iftarit, që pothuajse çdo vit në muajin e Ramazanit shfrytëzohet nga hajnat, që të kryejnë vjedhje nëpër shtëpi në fshatra të ndryshme të vendit.

Edhe mbrëmë ndodhi njëjtë. Në një shtëpi në fshatin Peran, hajnat depërtuan brenda përmes një dritareje dhe vodhën krejt çka gjetën me vlerë, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se disa persona arritën të vjedhin në këtë shtëpi 8 mijë e 200 euro, para të gatshme dhe stoli ari në vlerë të 5 mijë eurove.

Gjatë kohës kur u krye vjedhja, nuk ishte asnjë person në shtëpinë që ishte cak i hajnave dhe as përkujdesje nga dikush i afërm i familjes.

Me t’u kthyer në shtëpi, posa e pa gjendjen e shtëpisë, pronari e lajmëroi Policinë e Kosovës. Njësiti policor sipas burimeve të Sinjalit ka dalë në vendin e ngjarjes dhe është njoftuar Njësia e Hetimeve Rajonale.

Lidhur me rastin, prokurori kujdestar ka urdhëruar që të cilësohet si “vjedhje e rëndë” dhe të nisin hetimet për kapjen e personave të dyshuar.