Lajme

Vlora Çitaku kërkohet të jetë në krye të PDK-së

Pinterest LinkedIn Tumblr

Anëtari i Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës, Lirak Çelaj, ka thënë se pas rezultatit të PDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit duhet të bëhet reformë themelore brenda partisë së tij.

Edhe pse kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, vazhdimisht e ka potencuar se nuk duhet ngutur me ndryshime formale në lidership pasi lideri i PDK, Kadri Veseli, është në burg, Lirak Çelaj po kërkon që vendin e Kadri Veselit ta marrë ish ambasadorja Vlora Çitaku edhe pse në zgjedhjet e fundit nuk pranoi të hynte në listën e PDK për deputete.

“Unë mendojë që pas rezultatit në zgjedhjet e 14 shkurtit duhet të ndërrojë diçka brenda PDK-së, duhet të bëhet një reformë themelore, se a duhet të ndryshohet e tërë kryesia apo një pjesë e saj kjo duhet të jetë pjesë e debatit të brendshëm”, ka thënë ai.

Ndërsa anëtari i KD të PDK-së ka shprehur po ashtu se Vlora Citaku do të mund të ishte lidere e partisë pasi është rritur në PDK.

“Vlora Çitaku mund të jetë njëra prej lidereve të partisë sepse është një personalitet që është rrit me PDK-në dhe është njëri ndër autoritetet edhe jashtë partisë dhe jo vetëm brenda partisë”, ka deklaruar Çelaj për Infokus.
Mirëpo sipas tij ka edhe personalitete të tjera brenda PDK-së të cilët mund të marrin udhëheqjen si Bedri Hamza, Hajredin Kuçi “e shumë të tjerë”.

Kujtojmë se PDK ka dalë e dyta në zgjedhjet e 14 shkurtit me 17.41 përqind apo 133,722 vota.