Lajme

Zbulohet 29-vjeçari që ua mori tre qytetarëve mbi 30 mijë euro në këmbim të granteve nga ministria

Pinterest LinkedIn Tumblr

Gazeta Sinjali raportoi sot në mëngjes se si tre persona në Graçanicë kanë rënë pre e një mashtrimi duke paguar mbi 30 mijë euro në këmbim të përfitimit të granteve të ndryshme nga Ministria për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës. Këtë shumë të madhe të parave atyre ua mori një person, i cili pretendonte se kishte “lidhje” me ministrinë në fjalë.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë të ditur se i dyshuari që mashtroi qytetarët për përfitime të subvencioneve është Stevan Radosavljevic, 29-vjeçar.

Rasti i mashtrimit u denoncua dje, në orët e pasdites, në stacionin policor në Graçanicë.

Viktimat (emra të njohur për redaksinë) kanë raportuar se si u mashtruan për muaj të tërë nga i dyshuari, i cili u premtoi subvencione të ndryshme, që përfshijnë mjete bujqësore. Madje, i dyshuari u kishte premtuar tre qytetarëve se përmes granteve që do t’i fitonin me ndihmën e tij, ata do të mund të ndërtonin edhe shtëpi.

I dyshuari i mashtroi viktimat për gati pesë muaj dhe u mori mijëra euro, secilit veç e veç. Sipas burimeve të Sinjalit, i njëjti u pagua nga tre qytetarët me 30 mijë e 300 euro. Secili prej tyre kishte paguar shuma të ndryshme, njëri 4 mijë e 600, tjetri 2 mijë e 500 dhe i fundit që i kishte dhënë shumën më të madhe, gjithsej 23 mijë e 200 euro.

Qytetarët që dyshohet se u mashtruan janë intervistuar në Polici dhe kanë dhënë deklaratat për komunikimin që kanë pasur me të dyshuarin dhe premtimet e tij për lidhje në ministri.

Pas marrjes së deklaratave, prokurori kujdestar ka urdhëruar që rasti të iniciohet si “mashtrim” dhe të nisin hetimet.

Sa i përket të dyshuarit, Sinjali mëson se i njëjti nuk është kapur ende, pasi Policia s’ka arritur të bie në kontakt me të, prandaj është futur në listën e personave që duhet të ndalohen nëse hasen nga Policia e Kosovës.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali/