Opinione

ZGJEDHJET E 14 SHKURTIT, TERAPIA MË E DUHUR PËR TË DETEKTUAR “SËMUNDJET” E SHTETIT TË KOSOVËS

Pinterest LinkedIn Tumblr

Ajo që bie në sy, pa u thelluar shumë në analiza të hollësishme, është fakti se fitorja plebishitare e Albinit Kurtit bashkë me Vjosa Osmanin në këto zgjedhje, përpos të tjerash,  do të reflektojë edhe në proceset reformuese të partive të tjera, sidomos në PDK dhe LDK. Kjo edhe për faktin se që të dy, edhe Kurti edhe Osmani, ua morën disa adute elektorale bukur të forta PDK-së dhe LDK-së, duke i zëvendësuar ato me një diskurs të ri dhe krejtësisht të kapshëm për shumicën e votuesve

Nga Mehmet PRISHTINA

Java që po lëmë pas shënon, jo vetëm numërimin e votave të fituara në zgjedhjet e 14 shkurtit, por edhe rënie-ngritjet e entuziazmit politik, varësisht nga cili tabor vijnë. Ajo që bie në sy, pa u thelluar shumë në analiza të hollësishme, është fakti se fitorja plebishitare e Albinit Kurtit bashkë me Vjosa Osmanin në këto zgjedhje, përpos të tjerash,  do të reflektojë edhe në proceset reformuese të partive të tjera, sidomos në PDK dhe LDK. Kjo edhe për faktin se që të dy, edhe Kurti edhe Osmani, ua morën disa adute elektorale bukur të forta PDK-së dhe LDK-së, duke i zëvendësuar ato me një diskurs të ri dhe krejtësisht të kapshëm për shumicën e votuesve.

Nëse Albin Kurti arriti të sjell një ofertë të re, që kryesisht përmblidhet në pak fjalë: drejtësi, zhvillim e punësim, kjo bëri që t’i joshë votuesit, të cilët për shumë vite ishin mësuar të dëgjojnë retorika mbi lavdinë e dikurshme të UÇK-së e cila u pat shndërruar në kauzë elektorale. Këto zgjedhje dëshmuan se edhe kauzat më të ndritshme mund të harxhohen, nëse ato nuk mbindërtohen me projekte e ide të reja që do t’iu hapnin njerëzve perspektivë. Këto zgjedhje dëshmuan se njerëzit janë lodhur me retorika pompoze që thirreshin në të kaluarën pa ofruar zgjidhje për të ardhmen.

Në anën tjetër, Vjosa Osmani, arriti t’i bindë votuesit e lëkundur të LDK-së se flamuri i rugovizmit vazhdonte të qëndronte pikërisht në duart e saj, ndërkohë që garda e vjetër e kësaj partie me Rugovën “takohej” vetëm nëpër fushata zgjedhore. Zonja Osmani me elegancë arriti ta shpëtojë rugovizmin, i cili ishte zënë peng nga një mendësi e vjetër, duke e shndërruar këtë aksion politik në kauzë kryesore elektorale.

Gjatë kësaj periudha, kur ende nuk ka përfunduar certifikimi i procesit zgjedhor, ka prirje aty-këtu që individë e subjekte të caktuara, humbjen elektorale ta shndërrojnë në njëfarë kontrabande postzgjedhore, për do përfitime të vogla personale. Prirje të tilla ka pasur edhe në të kaluarën dhe kjo dëshmon se skena politike kosovare ende nuk është pastruar nga mentaliteti i tuxharllëkut, prandaj në të ardhmen besimi ndaj institucioneve të shtetit nuk duhet të kërcënohet nga pazargjinjtë e tillë që mallin e skaduar e paketojnë si ofertë gjoja të re.

Sido që të jetë, zgjedhjet e 14 shkurtit, mund të shikohen në një prizëm mjaft afirmativ sa i përket kulturës politike të votuesve dhe të subjekteve politike, por edhe  menaxhimit perfekt të procesit zgjedhor nga ana e strukturave përgjegjëse që ishin të angazhuara për mbikëqyrjen e këtij procesi.

Kosova, ditëve të fundit po listohet në krye të lajmeve afirmative sa i përket zgjedhjeve të 14 shkurtit. Madje nëpër disa studio televizive të Tiranës, Kosova po merret si model se si duhet të organizohen zgjedhjet, duke ia faturuar edhe klasës politike maturinë dhe pjekurinë për të pranuar rezultatin zgjedhor, edhe atëherë kur ishte i disfavorshëm, vetëm pak orë pas përfundimit të zgjedhjeve.

Do të donim që këto lajme afirmative t’iu kenë rënë në sy edhe zyrtarëve të lartë të BE-së, të cilët sigurisht do të duhej që në raportet e ardhshme t’i jepnin disa përparësi dhe nota pozitive Kosovës në procesin euro-integrues, sidomos në disa çështje që lidhen me fazën para aderuese siç është, bie fjala, liberalizimit të vizave.

Europa përfundimisht duhet ta shikojë Kosovën me dioptri reale, sepse vetëm në këtë mënyrë i nihmon edhe klasës politike të përqendrohet në çështje që janë me prioritet, kurse qytetarët do të inkurajohen që të besojnë më tepër në rrugëtimin eurointegrues.

Nëse veprohet ndryshe, atëherë klasa politike nuk do të ketë kurrfarë motivi që të angazhohet në përmbushjen e agjendave reformuese, kurse qytetarët do të zhyten edhe më tej në ujërat e turbullt të euroskepticizmit.

Është një moment mjaft i qëlluar që Brukseli t’i trajtojë zgjedhjet e 14 shkurtit si terapinë më adekuate ndaj disa çështjeve të hapura që po e ngadalësojnë procesin euro-integrues të Kosovës, kurse klasa politike, në anën tjetër, sidomos ajo që do të drejtojë institucionet e shtetit në të ardhmen, të përqendrohet në vendosjen e shtetit në binarë normalë të funksionimit, duke filluar nga ekonomia e zhvillimi, e deri te siguria, arsimi e shëndetësia.
 
Prishtinë, 20 shkurt, 2021